Tre shqiptarë të mëdhenj, në garën e “Nobelit”

Kosova propozon Adem Demaçin dhe Rexhep Qosen për çmimin “Nobel”

Adem Demaçi dhe Rexhep Qosja, dy figura të rëndësishme të historisë dhe letërsisë së Kosovës, janë propozuar nga Unioni i Shkrimtarëve dhe i Kritikëve Shqiptarë si kandidatë për çmimin “Nobel” 2016. Emrat e dy kandidatëve, respektivisht Qosja për “Nobel” për letërsi dhe Demaçi për “Nobel” për paqe, i janë dërguar Akademisë Suedeze për t’u marrë në konsideratë. Sot pritet që në Prishtinë të zhvillohet një aktivitet, ku do të jenë të ftuar dhe profesor Daniel Leuwers nga Franca, i cili është dhe kryetar i Shoqatës Ndërkombëtare të Kritikës letrare, prof. dr.
Héléne Stafford nga Anglia dhe Bluma Finkelstein nga Izraeli. Kjo është hera e parë në historinë e “Nobelit” që Kosova propozon dy kandidatë. Unioni i Shkrimtarëve dhe i Kritikëve Shqiptarë ka marrë përkrahjen për këto dy kandidatura nga disa universitete në Angli, Francë apo Izrael.
“Shteti më i ri i planetit, në mënyrë të pakontestueshme, e meriton njohjen internacionale dhe unë si kryetar i Asociacionit Internacional të Kritikës Letrare, jam i lumtur që më ka ardhur rasti të jam përkrahës për kandidaturën e tyre pranë jurisë së çmimit ‘Nobel’, me tërë admirimin dhe miqësinë time”, do të shprehej profesor Daniel Leuwers.
Ndërsa Kosova bën publike emrat që do të mbështesë në garën e madhe të çmimeve “Nobel”, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, përmes një letre të dërguar ditë më parë, i ka kërkuar Akademisë Suedeze, përmes një sërë argumentesh, që çmimi “Nobel” 2016 të shkojë për shkrimtarin e madh shqiptar.
Ismail Kadare është i vetmi shqiptar që për vite të tëra dominon në garën e madhe letrare, duke kryesuar dhe qendrat e basteve javën e parë të çdo tetori të kësaj dekade të fundit, ku bëhet publik dhe emri i fituesit. Adem Demaçi, 81 vjeç, vetëm pak ditë më parë është shtruar në spital në Prishtinë për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.
Demaçi është jo vetëm një nga themeluesit e filozofisë së re politike në Kosovë, dhe një personazh që ka kontribuar në pavarësinë e vendit, por konsiderohet dhe si themeluesi i shkollës së romanit modern në Kosovë. Ky vit përkon dhe me 80-vjetorin e Rexhep Qoses, një prej letrarëve dhe kritikëve më produktivë në hapësirat shqiptare. Në këtë përvjetor, Kosova e vlerëson atë duke e propozuar për çmimin e madh.
Por ndërsa propozimi drejtuar Akademisë Suedeze është thjesht një mbështetje për këto dy personazhe, pasi Akademia ka një rrjet të sajin të funksionimit mbi mënyrën sesi i kalon personazhet në të nominuar për këtë çmim, 80-vjetori i një shkrimtari kalibri si Kadare, shton shpresat që këtë vit çmimi mund të udhëtojë drejt Shqipërisë si dhurata më e mirë në këtë përvjetor, për një shkrimtar që e ka kaluar hartën e gjuhës shqipe.
g.shqip
 

Jetmira

Antarë i Respektuar
Titulli: Tre shqiptarë të mëdhenj, në garën e “Nobelit”

Shpresoj qe njeri nga keta te fitoj :D
 
Top