“TUR(L)I”

IRSA RUÇI

Të rinjtë kanë gjithnjë të drejtë, në çdo kohë, përtej gabimeve që mund të bëjnë, mbi të vërtetën, gënjeshtrën dhe çdo skutë të errët që u serviret për t’ua rrëmbyer energjitë në mënyrë grabitqare.


E drejta është një koncept që buron nga zemra, te besimi dhe guximi për ta shfaqur në përditshmëri e për aq kohë sa rinia ka zë të kërkojë vendin që i takon, ne duhet të ulim kokën jo vetëm për t’i dëgjuar, por të reflektojmë e veprojmë në mbrojtje të interesit të tyre. Është e plogësht t’u kundërvihesh të rinjve, është shpirtligësi indiferenca ndaj halleve që kanë dhe pabesi cenimi i lirisë, në çdo formë që ata e kërkojnë duke u përpjekur me forcat e tyre. Nuk ka luftë që mund të fitohet me ta: të duan pa kushte kur u jep dorën e mirëkuptimit dhe të rrëzojnë me përbuzje kur u fyen dinjitetin.

Një pjesë e mirë e maturantëve dje, sot dhe me siguri edhe një të nesërme, nëse vazhdojmë ecim si kalë karroce pa u ndalur për rezultatin që po prodhojmë, ndihen jo veç të fyer, por të rënë moralisht dhe të vrarë njerëzisht, ndërsa përpiqen të gjejnë vendin e tyre në këtë botë që ndryshon përditë me ritme marramendëse. Debati që lindi krejt natyrshëm me provimet e Maturës Shtetërore të këtij viti, nuk ishte as rastësor në gjykimin tim e as për t’u trajtuar në nivel memesh. Është shumë më i rëndë(sishëm) dhe i thellë sesa e morën shumica, përfshi këtu dhe vetë Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, që më mirë të kishte zgjedhur sërish heshtjen sesa deklaratat pavend njëra pas tjetrës, duke thyer edhe më shumë dinjitetin e përpjekjet dymbëdhjetëvjeçare të të rinjve.

Çështja nuk qëndron as te pyetja me Turin, që bëri turli mendjen e një populli të tërë, madje m’u duk shumë i vakët diskutimi duke rënë në grackën e përsëritjes brenda të njëjtit qerthull, thelbi i problemit nuk qëndron as te gabimet drejtshkrimore e logjika e komunikimit e përdorur në test, që janë tragjedi më vete. Jo, mes gjithë zallamahisë goditëm me shigjeta majën e ajsbergut, por nuk mundëm t’i biem në zemër kësaj plage: Që testimet janë një farsë, e cila për dekada të tëra thjesht ka zhvlerësuar fuqinë e mendjes dhe pasionin e zemrës së të rinjve, duke i demoralizuar në forma të ndryshme, me të njëjtën përmbajtje. Një tetëmbëdhjetëvjeçar që mban mbi supe barrën se duhet të shkëlqejë në letërsi, histori, matematikë, fizikë, kimi, biologji, informatikë etj., etj., degë pa fund në radhë, vetëm sepse e ardhmja i varet në këtë rrjetë që e mbërthen, duke mos u ndierë dot qytetarë të lirë, por robotë, që mision kanë të fitojnë një degë studimi.

Po, po, makineri që riprodhojnë dije të përcipta, nëpër të cilat harxhojnë vite jetë. Aktivë dhe të komunikueshëm të rinjtë nuk i bën banalizimi i teksteve shkollore, ku vendin e veprave dhe poezive të mirëfillta e zënë citatet e bejtet, por kthimi i shkollës nga një vend që të kall datën prej “detyrimit” për ta ndjekur për hir të faturës që do presësh në fund, në një strehë dijeje dhe komuniteti bashkëpunues, që buron mbi të gjitha nga liria për të menduar, vepruar dhe zgjedhur. Ne po ua vrasim të ardhmen dalëngadalë të rinjve, po i tronditim deri në identitet, duke e parë shkollën një burg prej të cilit presin të çlirohen, në vend që të ishte ambienti i tyre i preferuar.

Po si mund ta kthejmë sistemin arsimor në një vend të dëshirueshëm prej të rinjve?

Së pari, tekstet mësimore të shqiptarizohen, të kenë ëmbëlsinë e gjuhës sonë shqipe, me strukturën e saj dhe gjithë pasurinë që trashëgon. Të mbartin praktikën që buron nga realiteti shqiptar, nga përvoja e këtij vendi. Secili vend përqafon kulturën e vet dhe njerëzit me atë bagazh mbi supe socializohen në një botë më të gjerë globale. Ne po hedhim në tokë vlerat tona, memorien tonë historike dhe përballë kemi kultura të panjohura, të cilat i kopjojmë shëmtuar, duke dalë të zhveshur njerëzisht përballë atij që quhet fshati global.

Së dyti, t’u lihet hapësirë të rinjve të investojnë në tematika të caktuara, të bëhen pjesë, të hulumtojnë aty ku është fusha e tyre e interesit dhe të jenë kreativë. Të mos kërkohet riprodhimi përmendësh, por bashkëpunim në ndarje përvojash. Mësuesi nuk duhet të ndihet xhandari në klasë, por udhërrëfyesi që zbulon shtigje të reja e të panjohura më parë.

Së treti, të ngrihet një grup pune ku të hartohen raporte periodike, për t’i dëgjuar dhe adresuar problemet e të rinjve dhe zgjidhur shqetësimet e tyre. Jo vetëm ato që kanë të bëjnë me lëndët mësimore, por gjithçka që ka të bëjë me të riun si pasuri e këtij shteti. Ata duhet të ndihen të mbrojtur brenda mureve të shkollës. Por kjo nuk bëhet, duke e kthyer shkollën në një vend hermetikisht të izoluar, ku nuk lejohet të depërtojë asgjë e askush. Ky fenomen vetëm do mbulojë diellin me shoshë e mund t’i fshehë për momentin të metat, por nuk zgjidh thelbin e problemit.

Së katërti, të ketë vlerë vullnetarizmi dhe të inkurajohet puna në komunitet, duke u ngjallur përgjegjësinë sociale dhe humanizmin njerëzor adoleshentëve. Misioni i shkollës nuk është të realizojë atë program mësimor dhe të bëjë adetin në fund të ditës, por të rrisë qytetarë të lumtur e me vetëvlerësim. Nëse trajtohet si një fëmijë i llastuar një 15-vjeçar, nuk mund të na bëjë aq shumë përshtypje që dhe sjellja e tij do jetë fëmijërore. Nëse ti e angazhon një adoleshent, e bën të ndihet pjesë e grupit, të jetë i dobishëm dhe të marrë përsipër përgjegjësi, sjellja do jetë shumë më e matur dhe korrekte.

Së pesti, mësuesit kalojnë orë të tëra duke plotësuar burokraci e shkresa pafund, që në fund të ditës mblidhen pirg dhe dyshoj shumë nëse dikush gjen ngenë t’i lexojë. Këtë kohë që stafi pedagogjik e harxhon duke mbushur letra, që nuk testojnë aspak cilësinë dhe as raportin e komunikimit me klasat kujdestari të çdo mësuesi, do ishte mirë që të shfrytëzohej për të dëgjuar shqetësimet e adoleshentëve.

Së gjashti, shkollat duhet të përmbajnë programe jashtëshkollore, të cilat ulin pabarazinë dhe diskriminimin social. Nuk ka asnjë vlerë të qenit një nxënës i mirë, pa qenë më parë një njeri i lirë. Bullizmi nuk lind në ajër, as se “fëmijët e sotëm kështu janë, të përkëdhelur”, jo. Lind aty ku gjen terren të brishtë, sepse ata nuk e njohin njëri–tjetrin. Duke qenë të ftohtë mes tyre, as nuk e mbrojnë sho-shoqin dhe as u interesojnë lotët apo emocionet që më të ndjeshmit shfaqin.

Së shtati, ministri i Arsimit nuk është për t’i rënë fyellit nga zyra, as për të shijuar karrigen dhe famën e pushtetit. Është për të qenë i përulshëm ndaj çdo zëri rinor, duke u angazhuar në terren, për t’i dëgjuar nga afër të gjitha hallet e të rinjve, për ta vlerësuar sistemin arsimor, duke bashkëpunuar me stafin pedagogjik dhe mbajtur shënim çdo sugjerim të të rinjve. Institucionet shtetërore nuk mund të mbeten kupola të paprekshme burokracie, por duhet të shtrihen horizontalisht për t’i dhënë dorën secilës vajzë apo secilit djalë që artikulon një problematikë. Është kriminale t’i segmentosh të rinjtë dhe paaftësi deri në dhembje të hedhësh rrënjë brenda zyrës për të mos parë çfarë ndodh përjashta atyre mureve. Është krim shtetëror, jo papërgjegjshmëri!

Së teti, shkollat i kanë të gjitha kapacitetet për të vjelë talentet e të rinjve dhe për të ndërtuar festivale rinore sipas çdo zhanri. Përveç motivimit, ngjallet talenti, duke i ushqyer të rinjtë me të bukurën, me virtytin dhe idealin. Së nënti, në çdo shkollë të krijohet “libreza shëndetësore”, një databazë që përmban fakte, përfshirë dhe specifika gjenetike atje ku është e nevojshme, në mënyrë që aktiviteti sportiv të orientohet sipas këtyre të dhënave për çdo të ri.

Së dhjeti, por që përmbledh gjithçka kam cituar më lart, të hiqet njëherë e përgjithmonë kanceri që i dërrmon të rinjtë dhe ua heq të gjitha energjitë: Matura Shtetërore. Të zëvendësohet me instrumente që i japin lirinë e zgjedhjes një 18–vjeçari, por duke i rritur përgjegjësinë për dijen dhe vlerat që mbart shkollimi. Në një tjetër shkrim kam argumentuar se si mund të zgjidhet çështja e Maturës Shtetërore dhe nuk është aspak e vështirë. Duhet shumë punë dhe një vullnet i jashtëzakonshëm për të parë drejt së ardhmes. Duhet energji dhe mirësi, shumë dashamirësi.

Vetëm duke qenë pranë të rinjve për të mbledhë atë burim drite që ata çlirojnë, do mund t’i largohemi turlisë që prodhon vit pas viti, për dekada të tëra, sistemi ynë arsimor. Duhet një ndryshim në tjetër kah. Nuk mjaftojnë nisma, ide, duhen hedhur themelet e një arsimi modern; dhe besoj që me shumë punë dhe vizion mund të arrihet të kemi një sistem modern në arsim
 

sofia

Antarë i Respektuar
Shpresoj qe te mos mbetet vetem nje shkrim, te mos verdalloset ne teksturen e pergjegjesve te arsmimit si politizim, po te shikojne te drejtat. Shkollat jane demtuar sivjet ca nga termeti, ca nga mosedukimi, ca nga perdhunimet, ca nga protestat dhe ca nga hartuesit e testeve, po do te kete cdo vit nxenes te rinj, kjo mature nuk ishte brezi i fundit qe del nga dyert e institucioneve arsimore. Do te doja qe te uleshin dhe te hartonin nje plan ne bashkepunim me nxenesit (fokusi kryesor), mesuesit sepse po flasin ne emer te tyre duke mos qene nxenes ne sistemin qe vete kane prodhuar.
 

Rrelse

Zikaltër⚫?
Erdha të mësoj noj recetë gatimi( turli)
Ça zhgënjimi??
 
Top