Vjeshtë në vjenë

NeVertiti

~Kohe & Stine~
timthumb.php


timthumb.php


timthumb.php




Do të kisha dashur ta bëja më herët, shumë më shpejt se të gjitha kryeqytetet e Europës më parë. Por jo, mundësia më ish dhënë tani. Tani kur gjysmën tjetër të lumit që kalonte mes përmes saj e kisha vizituar disa herë, në një tjetër kryeqytet madhështor. Isha ndalur mendueshëm se kjo tallazitje e tij e shtruar në mëngjes a mund të kish qenë po e njëjta në anën tjetër të saj.
Ndoshta kurioziteti e kish glorifikuar, ndoshta pamundësia për ta prekur e kish tjetërsuar në përfytyrim, por një gjë ish e sigurt, Vjena tani do të ish mes meje dhe saj.
Me Danubin në mes, asgjë s’do ish më e kriptuar si më parë. Mendja ma thosh, por jo të gjitha shqisat ishin njësh me të. Udhëtimet e mia s’di pse i ndërtoja me këtë kryeqytet europian në mendje.
Ndoshta shenjat historike të qytetit më kishin mbetur në herët në kujtesë kur endesha mes bukurive femërore të Sisit, princeshës së dinastisë habsburgase dhe lojërave dashurore të saj, pasionit për artet dhe historinë. Hajdit, vogëlushes së dëlirë dhe këmbëngulëse që me mirësinë e saj zbuti forcën nazike të plakut që kish braktisur njerëzinë e qytetit prej lirisë që gjente në alpet tiroleze apo valsit gjithmonë ngjyrë blu në përfytyrimin tim të Shtrausit mendjemadh që ma sillte Danubin përjetësisht përrallor të ngrohtë dhe në këtë muaj të fundit vjeshte.
Me ftesë të Wave Network dhe European Info Center do të isha pjesë e një konference me titullin “Ending gender – based violence against Women and Children” që organizohej në Vjenë nga një rrjet i fuqishëm organizata feministe.
E kisha dyshuar pjesëmarrjen në të tilla konferencash me tema të tilla ku që në krye ke pranuar të vetëdallohesh si gjini.
Isha tallur pa hile në këtë tryezë grarishtesh sepse nuk mund ta pranoja qenësinë ndryshe nga tjetri. Në konceptin tim, por dhe të çdo qenie tjetër me mend kur ti e pranon dallimin në formë ankese je autodiskriminuar. Në Shqipërinë e sotme është krejt e zakonshme, krijimi i komuniteteve mbi bazën e dallimit.
Janë me dhjetëra shoqatat kulturore të krijuara duke iu referuar krahinës. Me dhjetëra janë dhe ato që i referohen dallimit etnokulturor. Duke pasur si kriter themelor dallimin janë krijuar dhe shumë shoqata dhe grupime të grave të Shqipërisë. Këto shoqata, të krijuara për t’u dhënë mbështetje grave, për të kundërpeshuar pabarazinë që ekziston në vend në këtë rrafsh, a kanë ndonjë anëtar të ndryshëm në gjini? A ka ndonjë shoqatë grash ku bëjnë pjesë dhe burra? Ose, më saktë, a ka ndonjë të tillë që ua ka hequr dyshimin burrave se të jesh veprimtar në një shoqatë grash për të drejtat e tyre nuk është diçka dytësore, por parësore?
Kurrë s’isha puqur me këto qurravitje grash të cilat i kisha përbuzur me dëshirë. Por ja, ftesa më erdh dhe duhet të gatitesha, mirë fort madje dhe për të referuar gjendjen në vendin tim, në Shqipërinë time.
Në fakt, tema është më e gjerë se kaq. Një bashkëbisedim për të forcuar kapacitetet mes rrjeteve mbi eliminimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve, njohjen e gjendjes aktuale të vendit nga vinte çdo e ftuar, si dhe përpjekjet që bëheshin për të luftuar këtë fenomen përfshirë gjithçka mban brenda dhe zyra që ti përfaqëson.
Nuk ka mangësi në komunikim, të gjithë mendojnë dhe shpjegojnë se kjo është një luftë e vjetër sa vetë njerëzimi. Por unë s’mendoj kështu, u thashë folësve, kur mora fjalën.
Dokumentet të ardhur deri në ditët tona sugjerojnë se gjatë një gjysmë milion vjetësh qeniet njerëzore kanë jetuar në komunitete të vogla ku të dy sekset gëzonin barazinë dhe madje ku gratë zinin ndoshta një pozitë më të lartë se burrat. Ah, u hodh Irisi, koordinatorja e konferencës, me syrin tim të parë e kisha quajtur një mikpritëse alla shqiptare, ti ke të drejtë vazhdoi më tej, por ka një gjë në këtë mes. Nuk është se ne po ankohemi, se e shoh, shkeli syrin brunia vjeneze, që e paske merak këtë punë, ne thjesht po dëshmojmë përse lindi kjo histori ndryshe? Përse duhet të dhunohemi në të gjitha format? Ose më saktë përse burrat kanë kaq shumë dëshirë të na nënshtrojnë?
Nga buron kjo forcë? A e keni pyetur veten? Na u kthye të gjithave me një pyetje forcërisht shigjete, drejt e në sy. Biseda kish marrë liri në trajektoren e saj dhe tani atë s’mund ta ktheje dot mbrapsht për t’iu referuar të dhënave burokratike që më mërzisnin sa herë raportoheshin. Ishte momenti më i bukur që po jetoja këtë ditë të parë vjeneze në Kolpinghauz Wien Zentral, aty ku dhe po zhvilloheshin orët e punës në lobimin e rrjeteve mes organizatave feministe kudo në Europë. Biseda po gjeneronte dëshirë dhe frymëzim për dëgjim.

Pa ndalesë në mes hodha sytë drejt dritares. Nuk mund të rrija edhe më gjatë. Valsi i Danubit dhe balerinat fluturake më qëndronin si miza pas mjaltit në kokë. Duhet ta mbyllja diskutimin për gjithçka e kishim nisur. Nesër do të lindte një horë e re, s’di pse m’u shqiptua kaq lehtësisht kjo fjalë, hora si Horët e malit apo si lajmësit e rinj të një dite të re.
Errësira po e përpinte madhështinë e qytetit e bashkë me të, më kish hyrë frika se mos rrezikoheshin çastet e mia magjike të shëtitjes krah rrugëve të saj, karrocave të bukura të shtruara me të kuqen e kadifenjtë apo dhe ëmbëltoret në shitoret anës Schِnbrunnit me aromën e tyre të sheqertë.
اudi, kisha menduar kur kisha prerë biletën e avionit, ja tani në Vjenën e Sisit që me ngulmimin për të thyer kufijtë e kohës së saj e kapërcyer ato në fund të shek. 19, më kish bërë ta ëndërroja këtë metropol perandorak dhe po për këtë liri, a diçka më shumë, “për t’u përplasur” në ide dhe mendime me ca vjeneze tipike në sjellje dhe maniera. Zoti kisha lexuar diku, vë në lëvizje në jetën e njeriut ca ngjarje sa madhështore aq dhe të ngatërruara edhe thjesht për të vënë në provë ca momente fatale në jetën e njeriut që kanë të bëjnë me frikën e së pamundurës dhe ndoshta në këtë mes nxit forcën tek ai (njeriu) për t’u përkryer.
E pa këto shëtitje nëpër botë, pa këto takime me gjithfarësojsh të Europës së përbashkuar, që rastet e përndritura m’i sillnin t’i zbuloja si një djallushe gjuetie e pagabueshme, pa këto pamje groteske dhe madhështore të një qytetërimi hijerëndë dhe endacak nuk do të kisha mundur ta përshkruaja Danubin si një botë të bëshme por në të njëjtën kohë të brishtë si bardhësia e mermertë e supeve të statujave në Schِnbrunn. Ngado që të hedhësh sytë, e në çdo hap këndej të lind një mendim. Ky është kryeqyteti ku Lordi Rotshild u bë ornitolog, një Varburg historian arti, një Kasirer filozof, një Sason poet, të gjithë këta por dhe shumë të tjerë iu bindën së njëjtës shtysë të pavetëdijshme për t’u çliruar prej asaj që e pati tkurrur njerëzimin, prej etheve të ftohta të pushtetit dhe parasë dhe ndoshta prej kësaj shpjegohet dhe dëshira e fshehtë që duke u lartësuar shpirtërisht njeriu largohet nga ajo që është nacionale, patriotike dhe folklorike e shkrihet në atë që është mbarënjerëzore. Ajo që më godet sa hedh hapin drejt rrugës në Innere Stadt të Vjenës që do të thotë në pjesën e vjetër të saj, në kërkim të muzeve të shumtë e të munguar nga vendi ku unë vija është lidhja ime si historiane më shumë sesa si patriote, me armët e Skënderbeut. Skënderbeu është një figurë e rëndësishme e historisë së Shqipërisë. Armët e tij kanë qenë subjekt i adhurimit mitik. Sipas legjendave, shpata e tij ishte aq e rëndë sa vetëm krahu i tij mund ta mbante. Ajo paskësh qenë kaq e mprehtë sa mund ta priste një burrë nga koka në bel me pak mundim dhe të priste një gur të madh në dysh me një goditje të vetme.
Nga të gjitha ato që na kanë mbetur prej Skënderbeut janë vetëm katër objekte: dy shpata, një helmetë veneciane dhe një libër lutjesh. Për armët e tij kishim mësuar (helmeta dhe shpatat) se ishin pjesë në Koleksionin e Armëve dhe Armaturave në Neue Burg, pasi kishin kaluar në duart e shumë fisnikëve që nga shekulli i 15 kur u sollën për herë të parë nga Shqipëria nga gruaja e Skënderbeut, Donika Kastrioti. Ndërsa libri i lutjeve më shpjeguan se është i arkivuar në Shtëpinë Publikuese Shelley në اelsi. Njëherësh dhe vetvetiu m’u ndez mendimi se këto kujtime historike, këto pasuri të luajtshme janë të miat, gjithçka për të cilën po kërkoja shpjegim, po, m’u ndjenë të ishin të miat, në mos të miat, të vendit nga unë vija, shqeva sytë pa dashje në heshtje. Por nuk jam e sigurt nëse vërtet kjo ka lidhje me fisnikërinë të cilën me sa duket për një çast e humba, apo me qëndrimin që duhet të mbash ndaj një malli që të përket. Diku kisha lexuar se prona jote është pasaporta jote, kaq e vlefshme dhe e rëndë bëhet ajo ndër vite e shekuj. Këtë nuk e them për ndonjë kompleks përulësie, por së paku për sjelljen kanunore dhe të ligjshme që çdo njeri me mendje të ndritur do ta kish ndaj tokës së vet, ndaj mallit të vet. Nën zë qesha me këtë ide marroke që sapo ia kisha dalluar vetes. Vetes, po dhe ndoshta çdo qenie tjetër njerëzore. Ora kish shkuar buzëmbrëmjes. Ishin net të ftohta tani në Vjenë megjithëse Tirana vazhdonte të jetonte një vjeshtë të vonuar. Hera–herës mbërrinin shtjella të thikta ere sidomos në brigjet e Danubit që mundohesha t’i përballoja me kokën lart, ndoshta si një sfidë për atë çka kisha gjetur dhe s’e kisha marrë, ndoshta se një tjetër ditë e bukur më priste me gjithë mëngjesin gri në shestim të mendjes me kafenë vjeneze afër, ndoshta se kisha shumë vende të tjera për t’u tretur, ndoshta se gjithmonë i besoj asaj që do të vij të nesërmen.

Në një botë e cila shkërmoqet nga shastisja e shumicës që nuk merren vesh mes tyre dhe nga ana tjetër sheshon diversitetet në një rrafshim anonim, problemi qendror është ai i diversitetit që nuk mohon por mishëron, në veçorinë e vet njerëzoren e të përbotshme.
Ndaj unë në ditën e dytë me koleget e mia si Natashën nga Maqedonia, Irisin nga Austria, Elenën nga Moldavia, Mamukën nga Gjeorgjia, Martinën nga Turqia, Dushanën nga Sllovakia, Natashën e dytë nga Mali i Zi, Ursulën nga Polonia, Ehën nga Estonia, Marinë nga Portugalia apo dhe Arditën nga Kosova isha çuar gazplotë dhe hareshëm t’i njihja ato më shumë dhe nëpërmjet tyre diçka më shumë rreth gjuhëve kulturalisht të ndryshme prej vendeve nga ato vinin.
Kuvendimi me to nga ana kulturore ishte gjithë pasion dhe me një mikpritje të hareshme. Ne i shtronim pyetje të shumta njëra–tjetrës mbi atë se çfarë ndodh kur grupimet sociale krijojnë rrjete të brendshme për vetëmbrojtje, pra, kur jeta e shoqërisë sundohet prej organizatash të ngritura mbi bazën e dallimit. Dhe diskutantet ishin të mendimit se kjo është asgjë më pak se një vetëveçim, që është një formë moderne e getoizimit. Sot p.sh. u tha aty mendohet që edhe fëmijët me kufizime shqisore: në shikim, në dëgjim, të mos shkollohen më vete, por të marrin mësime në shkollën më të afërt përse atëherë ne u dashkemi të vetëdallohemi nëpërmjet këtyre organizatave simotra kudo në botë? A nuk është ky një rrjet i ndërtuar saktësisht për një lloj vetëveçimi madje dhe të legalizuar? Të ftuarve “zonja” me gjithë këto diversitete kulturash natyrisht nuk mund t’ia merrje lehtë miratimin në gjithë sa u thanë.
Hija e rëndë e “të ndryshmit” nuk e errësonte aspak ngrohtësinë e këndshme të takimit. Kafenetë e Vjenës ishin të dashura dhe në orët e mbrëmjes me atë qetësinë e tyre habsburgiane, gjatë bisedave, të cilat shpesh rëndoheshin nga uni i gjithsecilit kulturalisht i ndryshëm e që po aty lehtësoheshin nga mundësia për të përmendur kuriozitete historike dhe artistike të njërit qytet apo tjetrit, për të shpërthyer në shaka me një kënaqësi dashamirëse e për t’u dhënë pas artit të madh të së qeshurës. Me Irisin e vazhdova bisedën time edhe jashtë dyerve të Kolpinghaus Wien Zentral, atje dhe ku qëndronim e referonim. Gazetarja që më përcjell Sisin kaq bukur, tha se patjetër kishte dëshirë ta dëgjonte edhe referenca të tjera lidhur me gruan dhe çfarë ajo duhet të jetë dhe u gajas mes shoqeve të saj. Jo duhet të jetë, mezi ç’prita unë të saktësoja, në fakt çfarë ajo është. S’ka për çfarë lufton, çfarë ajo duhet të ketë në ndërgjegje dhe çfarë ajo ka në të vërtetë. Eja, shtoi ajo, po vazhdove kështu s’do të të kuptojnë. Eja drejt rrugës në Schِnbrunn, ke qenë ndonjëherë atje? Jo, po pse bashkë do ta bëjmë? Rrudha vetullat unë, isha gatitur ta shijoja plotësisht vetëm atë pjesë mbrëmjeje.
Por Irisi me sy të vegjël bojë qielli nuk më ktheu përgjigje. Me sa duket, vetëm sa e kisha menduar këtë frazë. Kujdesi me tjetrën ma kish penguar ta lëshoja me qesëndi. Në bisedën me Irisin e cila e çmoi miqësinë time, vura re se pavarësisht jo në dukje, vjenezja ruante të njëjtin mendim në atë çfarë filozofikisht shkruhet dhe sekretohet për gruan. Unë nuk mund ta pranoja se përse ajo gjithmonë i mëshonte fjalës “sekretim”, “kodifikim”, “koduar gjenetikisht”, kur biseda afrohej në një pikë që dukej sikur ishim afër zgjidhjes së fjalëkryqit apo shkodifikimit. Me buzë në gaz, e kënaqur pas të shumtave pyetje këmbëngulëse të miat, ajo shpjegonte se burrat thonë se të gjithë jetojnë në një strukturë familjare, ata vazhdojnë ta konsiderojnë amësinë si një zgjedhje personale që gratë bëjnë për kënaqësinë e tyre dhe për të cilën as burrat dhe as shoqëria nuk duhet të quhen përgjegjëse. Burrat, vazhdoi ajo, veprojnë sikur vazhdimësia e racës njerëzore të mos ishte një nevojë për të gjitha qeniet njerëzore. U mendova gjatë pas kësaj, dëshira për t’i treguar botës njerëzore se Po, ne jemi në gjendje t’i bëjmë të gjitha, m’u ndez vrullshëm. Por kjo aspak për t’u dalluar nga gjysma tjetër e jona, aspak në garë me tjetrin. Në konceptin tim të të menduarit, s’mund të pranoja garën me tjetrin, me të ndryshmin, me shoqen, shokun a të huajin sikur e kishim dëgjuar rëndom në familjet tona, ose fundja siç ndodh jo vetëm në gjininë njerëzore, garën për të qenë më i fortë nga tjetri. Sepse sado ligji i xhunglës është ligji i cili ka ekuilibruar biosferën e Tokës, gjenezën e saj, mendoj e besoj se kjo luftë e përjetshme mes llojit apo i të kundërtave do ta kish ngurtësuar atë nga frika që sjell ky çast i mbrapshtë, bota do të ish dalldisur nga orët e lume të saj, nga vrull i brendshëm dhe i papërmbajtshëm që kjo garë sjell. Natyrisht kuraja për të rrezikuar duhet të fillonte nga vetja dhe në një garë me veten njeriu do të duhej së pari të fitonte garën me dashurinë. Dashurinë për veten dhe së dyti tjetrin. Por mbi të gjitha, dashurinë për të zakonshmen dhe harmoninë e çdo dite, e cila rrezaton te fytyrat e secilit nga gjysmat e njëri-tjetrit, të aftë edhe pse pa dëshirë, për të përballuar kaosin e përbotshëm apo ngjarjen e pazakontë. Ne e harrojmë shpesh dashurinë për ngrohtësinë e së përditshmes, aftësinë për t’u ndier të shpërblyer dhe të lumtur për atë që e bën të mahnitshme rrjedhjen e kohës: për të ndjerit, për të shëtiturit, për të lexuarit, për të shkruarit, për të ndërtuarit, për të folurit, për të darkuarit, për të dashuruarit, për të qenët miq. E kundërta sjell veç shpirtra të pakënaqur dhe meskinë të cilët e kërkojnë rrëmujën thjesht nga dashuria për rrëmujën, gëzojnë për çdo tension dhe për çdo fatkeqësi të vogël apo të madhe, duke u krijuar idenë se po luajnë një rol mbresëlënës. Jeta në të vërtetë merr shpesh dalldinë prej këtij meskiniteti impotent që prodhon dështime publike dhe individuale.

Në Europë nuk ka asnjë qytet tjetër ku dëshira për kulturë të ish aq e zjarrtë sa në Vjenë. Ndoshta ngaqë prej shumë shekujsh monarkia, Austria, as nuk ka shfaqur ambicie politike dhe as nuk pati njohur ndonjë sukses të veçantë në nismat e veta ushtarake, krenaria habsburgase i qe kushtuar me forcën më të madhe dëshirës për të fituar epërsinë në fushën e artit. Këtu shkëlqeu mbarë bota muzikore e të pavdekshmëve si Hajdeni dhe Mozarti, Bethoveni, Shubert, Brahms dhe Johan Shtraus dhe gjenialiteti i këtij qyteti të muzikës arriti të shkrijë këto kontraste në një realitet të ri, në një frymë të re, ajo për të cilën çdokush në çdo kënd të globit do të kish dashur ta vizitonte një herë në jetë, era vjeneze me kafenë e saj të mëngjesit. Mikpritës dhe me një ndjenjë të veçantë dashamirësie, ky qytet edhe sot pret në gjirin e vet forcat me diversitetin më të thikët kulturor. Thuhet për të se është po kaq i mirë sa arrin të zbusë edhe drurin e shtrembër të alpeve afër Tirolit, ndaj dhe pyjet aty janë aq të drejtë. Jeta është kaq e ëmbël në këtë atmosferë pajtimi shpirtëror sa çdo banor i ri njehsohet shpejt me sjelljet e reja që të afrojnë me njerëzinë e këtushme. Rrugës drejt pallateve të qëmoçme të oborrit mbretëror të aristokracisë rrëfejnë histori të gdhendura në gur. Me pamjen e Hofburgut pas shpine, rrëmoja në çantën time për hartën e qytetit që ua kisha rrëmbyer që në aeroport stjuardesave gjatoshe flokëverdhë. Ja tek jam, këtu mes Hofburgut që pati jetuar breza të tërë perandorësh dhe Shënbrunit të mbetur në fund të jetës së tij si një pallat pa perandor, me Glorietën afër, ndërtesën e vogël magjike nga ku mund të tresësh shikimin larg e mpirë nga dalldia që syri i lodhur prej pallateve gjigante prej betoni andej dhe nga unë vija, s’kish kurrfarë faji që s’i bindej komandës bio-mekanike. Më tej, me shenjë, kisha nënvizuar Katedralen e Shën Stefanit. Ja, ja tek është, atje ku patën rënë në gjunjë princërit aleatë të krishterimit për t’i shprehur mirënjohjen Perëndisë që i pati shpëtuar prej turqve në betejën e Vjenës në shekullin e 17. Vjena ishte një qytet me shije të hollë. Aty ku kish banuar Cvajg, Frojdi, Leoppold, e ku Akademia e Arteve të Bukura qëndronte në këtë periudhë e deri pas Krishtlindjeve hapur deri vonë pas mesnate, nuk kish si të mos të kultivonte e të ta përkorte shijen edhe më shumë. Sigurisht që nuk ish e vështirë që ta rimendoje edhe një herë këtë dashuri të tyre për artin dhe historinë kur i shihje të flisnin në çdo cep rruge a kënd lagjeje për çdo aspekt nga më të rëndomtat në jetën e personazheve të tyre të preferuar. Në fakt, limontia jonë politike, varfëria e një vendi që dhunon të vetët çdo ditë, një njerëzi që di të ndjekë mirë jetën jo vetëm politike të liderëve të saj s’mund ta përcjellë ndryshe kryeqytetin austriak. Me taksime që rriten çdo ditë, me provat ende të pazbardhura të ngjarjeve tronditëse të 21 janarit, me refuzimin që iu bë statusit të vendit kandidat, zhurmat lebetitëse që lë pas gjuha e urrejtjes së politikanëve shqiptarë të vetmen aulë të tyren, atje ku ende merren me nënat dhe motrat e tyre, me gratë dhe shoqet e punës, ku shoqëria është ende një shoqëri kushërinjsh në rreth të parë të dytë e të tretë, me ofshamat e atyre të pastrehëve që ngrysën netët e vitit të ri në qiell të hapur, për shkak të një ligi të ashtuquajtur të drejtë kundrejt pronarit dhe të tjerëve që e dhunuan banesën ku kishin lënë një pjesë djerse të jetës së vet në arkat e shtetit, i cili në fund i përbuzi si nazistët hebrenjtë me yllin e verdhë në gjoks. Me Irisin në krah dëshiroja shumë të flisja që vendi im të përmirësohej, për të gjitha këto e të tjera nënçështje për të cilat do të doja vërtet të kisha një premtim për përfillje. Në një kohë kur përpara gjithë kësaj morie hallesh, bota me të drejtë ndien njëfarë frike, e voton kundër nesh për arsyet e veta, e besoj fort se Europa e qetë që nuk bie në sy, e që nuk bën ç’është e mundur për të merituar një Nobel, por që e ndien bashkimin si një ngjarje pa dalldi dhe të shkrirë në prozën e reales, ka kohë që tregon ndaj nesh një fytyrë më familjare që fal siguri dhe që jep garanci për të shpresuar në një të ardhme të pranueshme.
G.shqip
reportazh.(MONIKA SHOSHORI STAFA)

ps;pak i gjate si shkrim por ja vlen te lexohet..:))
 

Sweetie

Anëtar i Respektuar
Titulli: Vjeshtë në vjenë

Nje artikull interesant dhe nje pershkrim teper i bukur...
 

Love

βeℓℓe â๓e
Titulli: Vjeshtë në vjenë

Vjena është një nga qytetet perlë në Europë .. Një herë kam patur rastin ta vizitoja dhe vërtet më ka pëlqyer goxha ..
 

princesha

Warrior Princess
Titulli: Vjeshtë në vjenë

Kete fat e pata edhe une Love para dy viteve dhe pikerisht ne vjesht ka qen, dy jave...kam qene edhe me heret ne Maj, por kete here pata kohe per te pare vendet me te bukura dhe me interesante,vet qyteti me magjepsi me nje stil interesant qe dallon nga qytetet tjera, harmonia ne kete qytet me duket me e kendshme se ne disa kryeqytete tjera te Evropes qe kam pas rastin ti vizitoj... :flumengjyra:
 

Sweetie

Anëtar i Respektuar
Titulli: Vjeshtë në vjenë

Se paskam ditur qe cfare fati paskam une qe jetoj ne kete qytet :) - Gjths me kalimin e kohes behet gjithcka normale dhe nuk te ben pershtypje asgje...
 
Top