Vrasja e demokracisë!

Historia na mëson se nuk mund ta konsiderojmë të mirëqenë demokracinë. E drejta për të votuar i lirë, që përbën një nga liritë tona më të rëndësishme si individë, qëndron në themel të demokracisë. Ajo na siguron që kemi një zë dhe garanton që zërat tanë të dëgjohen. Ndaj, një nga mënyrat më të mira për të çuar përpara demokracinë, është të marrim pjesë në votim dhe të bëjmë zgjedhjen, të lirë dhe të pashtrënguar.

Votimi është një e drejtë themelore dhe një bazë e së drejtës demokratike që duhet të mbrohet, promovohet dhe praktikohet. Kjo e drejtë është e sanksionuar edhe me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, që përcakton se “Çdo shtetas, që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet. Vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë”.

Për një vend që ka kaluar rreth 50 vjet në një regjim diktatorial, ku votimet ishin vetëm një shfaqje që zgjaste gjysmë ore në mëngjes, e mjaftueshme që udhëheqja të merrte 99.9% të votave, e drejta për të zgjedhur është realisht e rëndësishme. Ajo është arma e gjithsecilit për të protestuar ndaj korrupsionit, keqqeverisjes, shpërdorimit të parave që taksapaguesit derdhin në buxhet, apo përdorimit të pushtetit për interes personal. Është një e drejtë e kujtdo për të shprehur inatin, apo pëlqimin për ata që na qeverisin, apo duam të na qeverisim, për të vendosur për cilësinë e jetës për sot dhe për brezat e ardhshëm.

30 vite tranzicion, që në thelb kishin krijimin e një shteti demokratik, nuk kanë qenë ende të mjaftueshme për të na garantuar këtë të drejtë. Çdo dy vjet, në kombinimin mes zgjedhjeve lokale dhe atyre të përgjithshme, historia vetëm përsëritet. Punonjësit e administratës qendrore e lokale, me hir apo pa pahir, kthehen në ushtarë të zgjedhjeve. Ata urdhërohen të plotësojnë lista, të bëhen “patronazhistë”, të identifikojnë bindjet partiake të gjithsecilit, të rekrutojnë miq e shokë, të marrin pjesë në takime apo mitingje, duke lënë mënjanë funksionet për të cilat ata realisht paguhen nëpërmjet parave të taksapaguesve.
Presioni është i lartë për të ruajtur vendin e punës, në një administratë që teorikisht është e depolitizuar, apo për të siguruar një vend të mirë në mandatin e ardhshëm. Kështu ka funksionuar gjithmonë dhe fatkeqësisht, prirja në vend që të zbutet, sa vjen e po bëhet më e fortë, pavarësisht ndryshimeve ligjore dhe presioneve të institucioneve ndërkombëtare për të pasur një administratë të pavarur nga politika.

Presioni ndaj administratës është vetëm njëra anë e medaljes. Vështirë të gjesh një shtet demokratik në botë, apo edhe më afër në rajon, që angazhon një “arsenal” kaq të madh njerëzish, për të llogaritur, për të numëruar dhe për të ndjekur e për të spiunuar preferencat e çdo individi në moshë madhore për të votuar. Pas numërimit vjen përpunimi dhe pas tij, rreziku i tjetërsimit të votës.

Dhe pastaj nuk kemi më zgjedhje, kemi llogaritje, se kush voton për kë dhe pazar se si mund të sigurohet shumica e thjeshtë apo absolute. Faza më e rrezikshme është ajo e blerjes së votës, e mundësuar nëpërmjet lidhjes së politikës me krimin dhe favorizimit të aktiviteteve të jashtëligjshme që sigurojnë një burim të konsiderueshëm financimi (përpara periudhash zgjedhore ka gjithnjë një forcim të pazakontë të monedhës vendase dhe rënies së valutave, një tregues indirekt i hyrjes së parasë informale).

Edhe pas 30 vitesh tranzicion, partitë politike nuk kanë arritur të kuptojnë që pushteti në demokraci nuk është i përjetshëm. Ai vjen nëpërmjet votës dhe ikën po nëpërmjet saj. Vota është arma jonë e fuqishme në demokraci. Ndaj çfarëdolloj mënyre për ta tjetërsuar, për ta blerë, apo për ta ndryshuar atë, nuk është gjë tjetër veçse një vrasje që i bëhet jo vetëm demokracisë, por dhe shpresës për të ardhmen dhe besimit që ky vend, një ditë, do të bëhet.
Kjo është jeta jonë, që në shekullin XXI, kemi shansin ta jetojmë në një botë të progresit, teknologjisë e inovacionit: Na lini të vendosim atë që duam dhe që mendojmë se është më e mira për ne!

/Monitor
 
????
 
Top