Artan Gjyzel Hasani

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
TE PERKASESH DO TE THOTE...


...të jesh bima që rrënjët brenda shkëmbit vdes
dhe jo lulja në vazo që sallonin zbukuron…
të jesh dallga që bregut formë i jep
dhe jo shkuma që mbi valën qëndron…
të jesh zjarri që gjithmonë prushin ndez
dhe jo flakë ku digjen fluturat krahëshkruar…
të jesh pëshpërima e parë cdo mëngjes
dhe jo rënkim i mbytur i natës së shkuar…
të jesh fryma e vetme që mushkëritë e tjetrit mbush
dhe jo puthja e radhës vdekur përmbi buzë…
të jesh prekja që pashmangshmërisht kërkon edhe nesër
dhe jo turbullirë e ëmbël qe shkon dhe vjen si muzë…
e vështirë të përkasësh…
e vështirë…
të kesh dikë është shumë më e lehtë…
por vec udhëkryqet e jetës ta mësojnë më mirë
ndryshimin mes “të kesh” dhe "përket”…
(nga libri "Misioni Paranoik", 2006)
© Artan Gjyzel Hasani
 

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
Pas vrasjes së Markos oborri i vilës i kujtonte Maries një sy të gjelbër gjigant me një vështrim të papërballueshëm.
I vinte më mbarë ta shihte fshehurazi. E përgjonte. Afrohej të dritarja e dhomës së gjumit, hapte fare pak grilat dhe mes të çarave përkëdhelte me vështrim retinën shumëngjyrëshe të lulnajës.
Grilat janë pentagrami i pritjes, Maria, por nuk e di nëse kjo e jotja është pritë a pritje, do të thoshte Marko nëse do e kish kapur në befasi, aty pranë dritares, të mpakur nga dhimbja e ëmbël.
(fragment nga romani "FUNERAL")




"Martin, të të tregoj diçka nga jeta e kastorëve?
Ti e di që kur gjuhen kastorët mblidhen shumë njerëz që e rrethojnë nga të gjitha anët pyllin ku strehohet kastori, rreth dyqind –treqind njerëz, të cilët nisin dhe ngushtojnë rrethimin gjithnjë e më shumë. Ti e di që kastorin e gjuajnë vetëm për bishtin e tij të kushtueshëm. Kështu, vjen një moment që kastori esheh veten të rrethuar keqazi pa asnjë rrugëdalje.
Dhe a e di se ç’bën?
Këput bishtin, ua lë atyre dhe largohet duke shpëtuar jetën e vet. Këtë histori ma ka treguar Marko."
Martini e dëgjoi pa ndonjë kërshëri.
Muzgu atij i jepte një gjendje të ngjashme me atë të artistëve në momentet e para të krijimit. Por ai s’ishte artist. Arti i tij i të krijuarit përmblidhej në ata rrathë të kaltër që sajonte tymi i cigareve që zakonisht konsumonte i ulur në verandë me sytë mbërthyer larg, shumë larg, në horizontin e pranë muzgut, ku ai kishte kërkuar përgjigjet e shumë pyetjeve lodhëse që tashmë nuk kishte kush t’i pyeste më.
Megjithatë, edhe pa pyetur asgjë, ai kishte qenë në pritje të përgjigjes që fshehin muzgjet, si për t’i dhënë vetes një arsye më shumë për të pritur në heshtje muzgjet e nesërme.
Hmm… Kastorët… Tek njerëzit ndoshta do të ishte më mirë të sakrifikohej trupi dhe truri sesa bishti… E kush do të gjuante njerëz për bishtin e tyre?
(fragment nga romani "FUNERAL")
©artangjyzelhasani
 

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
DRITE ERRESIRE

këputet dielli dhe bie në gjunjë
si ç’bien kujtimet te kalendarët
tretet muzgu dhe dita dremit
derdhet ngadalë mbrëmja e përhimtë
rrugicave bëhet një hija e të dyve
shkëlqen fashë e hënës mbi dyer e pragje
pas xixëllonjave akoma rendin fëmijët
është ora kur errësira më vjen si dritë
me ty brenda syve…

njerëzit gjithnjë do hiqen si ç’nuk janë...
e vetmja gjë që dinë ta bëjnë mirë
të shitblihen si sendet, por të vegjël nuk e dinë
sa pjellor tregu kur e vërteta është gënjeshtër
i fshijnë pluhurin vetes dhe e nxjerrin në vitrinë
për blerësin më të parë vazhdimisht të verbër

burrat rrëzohen kur malli gërryen malin
mendjen dehin me avuj zemre aq lehtë…
të rinj ngatërrojnë pellgje me dete
fluturojnë pa krahë, flenë kur duhet të nisen
gra që nuk bëhen dot muzë, provojnë të bëhen poete
në vazo varresh si qiparisa e mbjellin veten pleqtë…

kështu ka qenë gjithnjë e nuk filloi sot
njerëzit mburren për atë që kanë
por kanë frikë nga ajo që janë

dhe frika është si hija që mbi shandanë dridhet
kur shërbyesja me qiriun që po shuhet ndez një tjetër
në shkallaren e kështjellës ku gjithnjë është errësirë
dhe e gjitha kjo ndodh netëve në gjoksin tonë
sa herë në garderobë të shpirtit hyjmë për të provuar veten…

errësira ka terr, por edhe dritën e saj
kur mendimet e errëta si urët e zjarrit mbi prush
në shpinë të njëri tjetrit dorëzuar rrëzohen
dhe në gazmend shkëndijës i gëzohem
feksjes që ma mbars kanatën e syrit
me xixëllonjat që fëmijët ndjekin pas …

(nga vellimi poetik "PRANDAJ..." )
©artangjyzelhasani
 

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
ILUZIONI I LIRISE

të lirë jemi a lënë na kanë
për të shkruar e bërë ligje
që lirinë tonë të kufizojmë
kur me veten jemi nginjur
dhe tjetrin duam ta hamë

na vënë në grazhd e na ushqejnë
bashkë me të tjera kafshë
krenare dhe sqimatare si ne
dhe na mësojnë me durim
artin e të qënurit të barabartë
kur një herë në katër vjet zgjedhim
taksidarët e zellshëm të lirisë sonë
kur liria nga një e drejtë
shndrrohet në biznes të taksueshëm...

të urtë, të bindur, tashmë e dimë
njëri nga të dy në kafaz do rrijë
ne
ose
liria që lamë a na la...
por s’kemi frikë,
liria i merret veç atij që e ka...

ah, ti tigër marramendës i Lirisë
je kaq i bukur, sa nuk e ndjej
se si ngadalë të afrohem
kaq tundues, sa të dorëzohem
e ti më shqyen…

(nga vellimi poetik "OVAL")
©Artan Gjyzel Hasani
 

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
POEME E HAPUR NJE KANDIDATI PER LEXUES

Ti kërkon një poet të madh…të madhërishëm… madhështor
që të shkruajë për ty, lexuesin e ardhshëm?

Një poet për të cilin trumpetat e tua prej mjegulle të bien çdo ditë e çdo natë…?

Një poet që të jetë ekskluzivisht i juaji?…

Një rapsod mjekërgjatë të cilin do ta duartrokisni
përunjësisht…
pambarimisht….
unanimisht…?

Një ajatollah
një idhull,
një bard ?

Një gërmaxhi i cili të gërmëzojë atë që mund ta kishe bërë lehtësisht ti
nëse do kishe pasur 5 minuta të lira në intervalin e një ndeshje bilardoje në klubin aty pranë ?

Kemi mijëra vjet që keqkuptohemi ti dhe unë,
por tani së fundmi nuk jam më aq i mirësjellshëm

Ne jemi të njëjtë...përdorim të njëjtin alfabet...
të njëjtat fjalë dhe gërma...
por nuk jemi njësoj
dhe ndoshta kurrë s'do të jemi,
siç nuk janë njësoj gjumi dhe ëndrra...

Unë nuk shkruaj për ty.
Kurrë nuk kam shkruar për ty.
Kurrë nuk do shkruaj për ty.
As për të tjerët.
Natyrisht as për veten time.

Une nuk shkruaj.
Shkruhem.

Poeti është ai që ka dashuruar
kur ti nuk mund të dashuroje përsëri
që ka falur atë që ti nuk e fale kurrë dot,
që ka tradhëtuar atë që nuk ke mundur të tradhëtosh ti...
që kur ti gajaseshe derdhi të rëndët lotë...
që s'u habit aspak kur memecët folën
që buzëqeshi dinjitoz mbi kryq...
që jetoi edhe kur e vranë
e kur e ringjallën i talli dhe vdiq...

E di...akoma nuk je gati...
nuk je akoma lexues vargjesh,
por përtypës gërmash që si një varg gështenjash të zjera
i blen...
i ha...
i porosit kushdo...
kudo...
kurdo....
"Hej..na pesë lekë..me jep edhe dy të tjera!"

Por poezia nuk është pica që t'u dha falas ta përtypësh në
banketin promovues anës trotuarit
as haraçi që një perëndi e panjohur i paguan bujarisht paditurisë
tënde...
nuk është as hajduti bastard që tinëzisht i frikohet litarit...
e as arnimi i rradhës i një ndërgjegjeje të shqyer vende –vende...

Nuk është as buka me gjalpë e djathë që jot gjyshe ta ushqente pasditeve të fëmijërisë tënde të krisur...
nuk është as biberoni me të cilin qetësohen grindjet e shtatanikut që nga djepi përdhe ka rënë...
as peshqiri me të cilin fshin djersët shkujdesur pas seksit rutinor mbi çarçafin spermëqëndisur....
e as puhiza e vonuar një mbrëmje të nxehtë gushti nën një qiell yjesh shtatzënë ...

Hej, ti kandidat për lexues poezish!

Kur mes presjeve, pikëpresjeve, pikëve, pikëçuditëseve, pikëpyetjeve, retiçencave, apostrofëve
si në një vrapim me pengesa
do arrish në finish bashkë me mua ...

kur të zvarritesh nënrreshtave
si poeti në skutat e panjohura të shpirtit tend...

kur të guxosh të turbullosh një gjumë të pafjetur akoma,
ndërsa dheun të heqësh nga vargjet për të zbuluar epitafin tend apo ndoshta edhe kufomën time...

kur të guxosh të recitosh me zë të lartë ato që u shkruan në
vetminë e heshtur...

kur çmendurinë ta njohësh për privilegj
e në fund të tunelit të saj të shohësh dritë...

kur të guxosh të shohësh për një çast të vetëm pa t'u dridhur qerpiku atje ku poeti ka parë një jetë të tërë...

kur të guxosh të verbosh sytë nëse kjo do të të ndriçojë shpirtin...

kur të jesh i gatshëm për t'u vrarë...për t'u vetvrarë...
për t'u varur në pikëpyetjet e mia si ç'jam varur unë netëve
pas ëndrrës që ti nuk arrije ta shihje dot në gjumin tend të qetë...

kur të kuptosh që Triumfi i Poetit nuk ka nevojë për tuajat Harqe,

atëhere PO!

Atëherë do jesh LEXUESI
dhe ajo çka shkruan poeti do të jetë e jotja...
Përjetësisht e jotja...
....................................
Përndryshe kënaqu veç me gërmat...
Nuk i meriton vargjet!


(nga libri "Mekatari", 2010)
©artangjyzelhasani
 

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
KAM VDEKUR SHTATE HERE SOT...

…por ti s’e di
askush s’di gjë për vdekjet e mia
shtatë sa mrekullitë…

ishte herët mëngjes
një zog që e gjeti të prishur strehën
më kujtoi foletë që dikur kisha
dhe u mbyta në filxhanin e kafesë…

ishte ora 8 kur ndodhi e dyta
i telefonova shtëpisë sime në Shqipëri
“Alo…mami...si je?”
pastaj u kujtova që aty nuk banon më askush
tymosa një cigare dhe vdiqa…

e treta do të ketë qenë në mesditë
kur ndërsa shihja veten në pasqyrë
sytë e tim eti më thanë
“nuk ia vlen, sado që të përpiqesh, biri im,
gjithnjë do të ndodhë diçka
dhe fundi do të të duket fillim…”

në 4 pasdite ndodhi e katërta
kur u ktheva nga puna për në shtëpi
kontrollova në kutinë postare
veç zarfa bankash, fatura dhe gjoba,
asnjë letër dashurie…

e pesta ndodhi në muzg
i tronditur nga buzëqeshja e tij
u përpoqa t’ia fshi lotin një kllouni
nuk munda, ndaj ia hoqa maskën
dhe isha unë ai…

tjetra si zakonisht në mbrëmje
kur të gjitha pemët e botës më duken mimoza
zgjata duart t’i përkëdhel, por ato nuk ishin
në atë orë unë gjithnjë bëhem pluhur
rërë në erë…
pjalm endacak…
vdekje aromatike…

me puthjen e jetës më ringjalli nata
për t’i varrosur gjashtë vdekjet nëpër vargje
ia lexova mungesës tënde
dhe kjo ishte e shtata…

(nga vëllimi poetik "OVAL")
©artangjyzelhasani
 

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
DASHURIA?

…sa shumë fjalë për dashurinë u shpikën
e sa lotë u derdhën në prehërin e saj
vajza në altare djemsh sakrifikuar
burra thërmuar në mijëra kristale grash…

kemi pasur edhe ne ditët tona të bardha
muzgje të dashuruarish, mëngjese të arta
drit’ që na vinte nga zjarr’ i shpirtit
kur fryma na është mbajtur nga ëndja
sa herë mashë e padurimit urët përpushte
dhe në flatra fluturash të hutuara xixat
mangallit të barkut bëheshin prush...

por ishin edhe ditët zhgënjyese
plot ankthe që ëndrrat na i rrëmbyen
netë torturuese me shëmtim mbarsur
kur çdo gjë e bukur që kishim pasur
mëdyshjeve dyshuese u tret e ftohtë
dhe jetës si tjetrit kurrizin ia kthyem
për t’i thënë më pas “eja më ngroh…”

sot me grinë jemi mësuar si me hënën
lisin legjendar e kemi mbjellë në një vazo
lis shtëpiak për përdorim të brendshëm
kështjellat i ndërtojmë të vogla fare
me rërë sintetike, lehtësisht të pushtueshme
dhe i mbajmë në kafaz në vend të kanarinave
me një çelës në dispozicion të amatorëve
dhe të atyre që kanë frikë nga lartësia...

e kur, si për një vajzë, do na pyesin
në fundin tonë për vetë jetën
nuk do të kujtojmë fytyra,
por vetëm buzë,
dhe do mërmërisim “ishte e puthshme”
pa e ditur nëse thamë gjithë të vërtetën…

(nga vellimi poetik "PRANDAJ...")
©artangjyzelhasani
 

jana80

Super Moderator
Staff member
Darka e fundit


vërtet…sa gjëra të çmendura bëmë
e sa të tjera na mbetën pa bërë...
shumë fjalë të ëmbla pëshpëritëm
e sa të tjera muzgjeve nuk i thamë...
sa prekje magjishëm ëndërruam
e sa mbeten për një tjetër herë...
sa puthje mërmëritëse morëm
e sa të tjera kurrë nuk i dhamë...

dhe ja ku jemi sonte në Darkën e Fundit…
në dukje gjakftohtë e të qetë…
lotët fshehur në grykë…
ti nga kryqe dhimbjesh zbritur
dhe unë, siç thua, Juda yt…

te vargu im pa semafor
ku heshtjet e të tjerëve
dikur aksidentoheshin lehte...
qëndrojmë sonte
gjykojmë…
kerkojmë…
mes kupës dhe lëngut cili paska vlerë…

unë dashurova me zemër, zemra ime,
me mendje ti…e mënçura ime ti…
por mendje dhe zemer rrallë bëhen bashkë…
logjika pranë pasionit dot kurrë nuk rri…

kërkova të bëheshe pavendosmërisht
e imja
dhe piramidën e shpirtit t’më drithëroje…
ta rrëzoje përdhe gur pas guri…
dhe nga e para ta rindërtoje…
por të kishe kujdes mumjet që flinin aty…
dhe zërat që vinin nga shkretëtirat
ishin të dashurive që më sollën te ty…
ishin…janë…
vendosmërisht të miat…

të më dashuroje siç isha…
mëkatar zjarresh rreshkur
s’munde, e mira ime, s’munde…
fytyra e djallit gjithnjë është më e shëmtuar
se maskat që mbajmë veshur …

por kësaj Darke të Fundit
le të heshtim së bashku…
le të harrojmë…
të harrojmë premtimet e dhëna
nëse nesër diçka
përsëri do na bashkojë
do jenë fjalët e pathëna…


nga*Stina e Peste - Dialog Poetik*
Artan Gjyzel Hasani
 

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
FTESE PER SHEN VALENTININ NENES SIME PLAKE

Nënë,
e dashura ime nënë,
mos shko këtë mëngjes te varri i tim eti
është Dita e Të Dashuruarve…
shko më vonë atje
në mbrëmje kur askush s’të sheh
dhe tregoja të gjitha…

eja të shkojmë në vende
që të bënë të lumtur dikur
atij parku me shelgje ku puthjen e parë more
e të vetmen dashuri ndjeve gjirin të te djegë...

eja të shkojmë atje ku vajza u bë grua
te ajo dhomë e varfër ku me tim atë
për të parën herë bëtë dashuri
dhe përjetësinë njëri tjetrit i premtuat…

eja dhe vër parfumin më të mirë
dhe vec për sot hiqi rrobat e zisë…
vishu sic do donte babai të visheshe
fustanin e kaltër dekolte…
bizhutë dhe sandalet që në dorë mbaje
sa herë që e dehur prej lumturisë
në krahët e tij rrugën për në shtëpi merrje…
ndërsa e qeshura jote kumbuese
erresirës i prishte qetësinë…

eja të shkojmë në vende tunduese
që sot i ka mbuluar harrimi
ku xhelozinë ndjeve të të plagosë
dhe shtegëtimet e zogjve nise t’i dyshosh
pa e mësuar se kush e kish fajin
qielli
flatrat
apo fluturimi…

dhe natën vonë shkoi pranë mermerit
thuaji se nga të gjithë premtimet
që shkujdesur të falte ai,
më e ëmbël ishte dhimbja…
mes mërmërimash bëji dashuri...

falja edhe ti të gjitha...
mjellmës klithmën që askush s’ia dëgjoi
tradhëtoja në mënyrën tënde të butë…
të bardhë dhe të urtë…
duke mbetur përjetësisht e tija…

Nënë, mos shko këtë mëngjes te varri i tim eti
shko më vonë atje,
në mbrëmje kur askush s’të sheh
dhe tregoja të gjitha…

është Dita e të Dashuruarve,
e të dashurve…
e dashnorëve
e besnikëve dhe tradhëtarëve bashkë…
është ditë e dashurive të zhurmshme
dhe e mjellmave që s’bëzajnë…

((nga libri "Mekatari", 2011)
©Artan Gjyzel Hasani
 

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
ALKIMI TE VONUARA II

E përfytyroj se çfarë mund të shkruante Klara në ditarin e saj imagjinar, nëse do e lexonte shënimin tim të fundit:

“Kujt po i buzëqesh ashtu, ë?”
Eshtë zëri i njohur i tim shoqi që më bën zgjimin e rradhës. Eshtë bërë përgjuesi i gjumit tim prej disa vitesh.… Prej njëzet vjetësh ai ndodhet gjithnjë aty, si një leshterik barkalec që nuk dihet mirë se ç’dallgë e hodhën në këto brigje të gjumit tim.
“Ti grua më tradhëton në ëndërr…”

اdo mbrëmje para se të bie për gjumë i lutem perëndisë që ai të mos zgjohet para meje dhe kështu të mos e kapë në flagrancë buzëqeshjen time.
اdo buzëqeshje e imja në gjumë përbën një tradhëti bashkëshortore për tim shoq. Madje shpesh, ndërsa unë fle ai tinëz vë veshin pranë gojës sime gjysëm të hapur dhe bën kontrollin e rradhës. Përpiqet të kapë e të deshifrojë tërë tingujt e fshehtë që, duke dalë nga shpirti, ndalojnë mbi buzët e mia në formë të asaj buzëqeshjes që ia prish gjumin atij.… Aq shumë është specializuar në këtë zeje të re, saqë mendon se në një të ardhme të afërt do arrijë të përcaktojë, jo vetëm moshën, por edhe emrin e dashnorit te ëndrrave të mia
“Ti grua më tradhëton në ëndërr…”
Ky është konkluzioni i eksperimenteve të tij në vitin e fundit. Laboratori ku ai kryen këto eksperimente është dhoma jonë e gjumit dhe krevati ynë bashkëshortor. Sigurisht që kavia e tij eksperimentale jam unë dhe buzët e mia. Qëllimi i eksperimenteve ka ndyshuar me kalimin e kohës. Dikur ai ishte asgjë më shumë se sa përpjekja që një burre i pasigurte bën për të rifituar vendin e tij mashkullor në viset femrore të trupit tim. Dilte lakuriq para meje, gjoja si padashje, dhe, me xheste të një horri të vonuar, mbulonte seksin e tij, duke shpresuar që kjo gjë do më eksitonte, siç thuhej edhe në një manual të vjetër indian. Por më kot. Orgazma ime nuk ndodhte.

Një ditë mjetet laboratorike u sofistikuan dhe u bënë më bashkëkohorë: një duzinë kasetash porno mbushi dhomën tonë të gjumit, ndërsa një ekran gjigand 60 inçësh zuri të na bënte shoqëri nonstop , madje edhe kur gërrhitjet e mia arrinin kulmin nga ai ekran vazhdonin rënkimet dhe dihatjet e ca toçave të zinj me nofulla katrore dhe me një zorrë të gjatë mes këmbëve. Orë të tëra pallime pa u puthur asnjë çast. 20 vjet që ndjehem vrimë. Unë jam vrima me të cilën ai krenohet. Vrima e tij leshatore, meqë, ndër të tjera, ai ka edhe një pasion të vjetër për pyjet.
Më vjen keq për të. Ka qenë vërtet një hamshor dikur, por kjo “dikur” dikur do mbaronte natyrisht…Një mashkull vdes kur nuk i vjen të puthë më…Dhe, bashkë me puthjen e tij, vdes edhe buzëqeshja te femra…Po vërtet… kush më puth mua në gjumë në ëndrrat e mia? Vërtet… pse buzëqesh unë në gjumë?
Pse vallë një burrë e ka të vështirë të pranojë që te gruaja ca gjëra funksionojnë ndryshe në kohë të ndryshme? Kaq të vështirë e ka ai të kuptojë që buzëqeshja e një femre në gjumë është diçka e pavullnetshme? Diçka e pavullnetshme e ngjajshme me ereksionet e mashkullit… Pa asnjë urdhër…
Ndërkohë ngrihem nga shtrati, bëj një dush dhe vishem e parfumosem. Ora po i afrohet nëntës, do nisem për në zyrë dhe, teksa do kaloj pranë lokalit ku djelmoshat e lagjes gjerbin kafenë e mëngjesit, do shijoj ngacmimet e tyre, bërrylat që do më prekin “padashur”, do dalloj përsëri fryrjet e pavullnetshme në pantallonat e tyre dhe… do të buzëqesh.
E vetmja buzëqeshje që ai nuk ma përgjon dot kurrë…”

(nga romani “Republika e Semaforëve”)
©artangjyzelhasani 2008
 

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
TIRANICA NOSTALGICA

në këtë qytet ku vite të bukura kalova
mes pasionesh të zjarrta e dashurish të ndaluara
sot askush s’më njeh dhe paskam ftohtë
tek endem rrugëve të harruara
konviktor i dikurshëm që një mbrëmje dimri
i vetëm e larg nga të tjerët
me njëzet lekët e fundit që kishte
në kinema shkoi dhe pa “Të mjerët”…

udhës së Liqenit nisem menduar
e nga syzet një gjurmë loti fshi…
në “Gjirin e Kurvave” zemra më nuk rreh…
dallgë nuk ka
e s’mbytet më njeri…

ku ikën vallë ato vite
ku cdo gjë shkëlqim kishte?
kanë qenë të vërtetë?
i kam jetuar?
apo gjithshka një gënjeshtër ishte?

i bukur...i forte isha atëhere
dhe ah sa lehtësisht shpirtin e premtoja
por shumë i ri dhe atehere s’e dija
se shpirti qe kisha nuk ishte i imi…
mes epshesh shpenguar
dhe qejfesh pafund
meteor që vec gjurmën pas lë…
jetonte kudo e s’banonte askund…

paskam ftohtë…
paskam ftohtë…
dua të pi, por s’kam me kë…
dua të qaj, por s’kam më lotë…
kujtimet me çmallosjen t’i deh dua…
në gotën plot të mbytem dhe vetë,
por edhe ajo shpejt do të zbrazet...

do të zbrazet
e s’do të mbytem dot…
artangjyzelhasani 1996
 

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
LEHTESIA E PAPERBALLUESHME E KAFESE SE MENGJESIT

jam bërë i arsyeshëm, pra aspak interesant,
burrë i zakonshëm dhe pa ndodhi
që nuk tymos si dikur brenda shtëpisë
se duhet shitur më shtrenjtë nesër
më pi tym i cigares, ndërsa në garazh e përpi
ndjej mall për një kafe me ty, e panjohur,
ndërsa më përmënd një zë i lodhur
“Gati kafeja, burrë, mbi lavatriçe ta lashë...”

përveç se e panjohur, ti mund të jesh edhe brune
por për lehtësi arësyetimi në Gjyqin e Parafundit
le ta zëmë se je bionde syzezë në të pëlqen
formë e buzëve cliché… gojë gjysëmhapur...
gjinj me gravitet të lehtë nën kashmir violet
e sapodalë nga vetmia që falin ëndrrat
dhe ja tek nisemi çift për te bari i Xhinos
për një asgjë të re, kafenë e mëngjesit
dhe konsum miqësor i cigareve të mia...

gjerbim kafe dhe flasim për dashuritë e të tjerëve
pasi i ndritëm tonat në varreza inkandenshente
e ngrohtë si puthje pasionante kapuçinoja
por e tepert kjo shkumë si krenaria në dashuri...
pastaj më thua që kur ishe fëmijë
e dije që qetësia zakonisht ka ngjyrë të zezë
e unë dua veç të të puth majën e hundës
erë të të marr aty ku mëkohet jeta
dhe jo t’i zë pritë vrasësit të Detit të Vdekur
që në versionin polumbar të kësaj poezie
shkujdesur ta hoqi fijen e kashtës nga dora
për notaren kineze me emrin Roberta...

ky është momenti kur unë do bëhem interesant
dhe do filloj të të kuroj, ty e panjohur,
ne bienale të vërtetash të hidhura
me kosto jo edhe aq të lartë…

se nganjëherë gjërat vdesin parakohe,
nga dëshira për t’i jetuar shumë...
ngushëllohemi se kështu ish e shkruar
çdo ndarje është një monument lirie
me piedestal gurin që zemrës i vumë…

por brenda teje ka një vend që ti s’e di
ku ndjenjë e brishtë pasqyrohet kokëposhtë
lot bëhet gjaku në gijotinë të shpirtit
kur njeriu i trishtë në pellgun e vetes hidhet
për të mbytur një tjetër që gjithnjë mbijeton…

po ikën dhe ky mëngjes si të tjerët
është ora kur mbi kajmakun e kofshëve të tua
si akrepat e ores 9 do përthyhet rreze e diellit
(e djallit thuaj!)
le të gjerbim deri në fund këtë kafe pra,
se fundja unë të shpika ty këtu pranë
ti mund të ishe duke vënë një filxhan
mbi një lavatriçe tjetër në një tjetër garazh
ku tymos një tjetër burrë…
vazhdimisht sa unë i huaj…

(nga vellimi poetik "OVAL", 2016)
© Artan Gjyzel Hasani

 

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
(fragment nga romani "Republika e Semaforeve")

Kanë kaluar dy muaj që nga dita kur “SHKRIME ME POROSI” mori udhë. Popullariteti i tij e bashkë me të edhe fama ime kanë pushtuar qytetin tashmë. Produktet e ofruara nga dyqani im i gjen kudo…të stamposura nëpër filxhanet e kafeve turke, nëpër mure lokalesh, dhoma hotelesh klandestine, në dhoma paraburgimi, në spitale (madje edhe në maskat e oksigjenit janë shkruar dy vargje të cilat i kisha bërë me porosi të një reanimatori të papunë), nëpër mbathje, sidomos poezi njëvargëshe, veçanërisht të përshtatshme për stampim në tanga.


Klara kthehet e gëzuar në shtëpi. Krahët e saj më përqafojnë me një krenari jo edhe aq të lindur.

” Shpirt, je bërë i njohur në tërë qytetin! Isha në një ngushëllim dhe një vajtuese e njohur nga trevat e Jugut i këndoi të ndjerit “Vajet e Pasdites”, pjesa që më pëlqen më shumë nga “Manuali i Varrimeve”. Të gjithë më vështronin me zili. Madje një zonjë e moshuar më kërkoi, nëse do të ishte e mundur, të shkruaje edhe këngën që do i këndohet asaj pas vdekjes…” Vërtet, pse të mos filloj të prodhoj edhe epitafe në seri? E ku ka më bukur se sa te lexosh epitafin e varrit tënd duke qenë akoma në këtë jetë? Ja…përfytyrojeni edhe vetë…Jeni ulur në një poltronë, keni mbledhur përreth nipat, mbesat dhe fqinjët dhe mes përlotjesh ju recitoni epitafin tuaj. Vallë vetëm ata që lindin kanë nevojë të dëgjojnë ninullën e tyre? Po ata që vdesin nuk paskan të drejtë të kenë edhe ata një ninullë të tyren? Ja ku u gjet edhe emri: “Ninulla të Gjumit të Madh”. Kushedi…sapo ta marrin vesh, do të nxitojnë për te dyqani im ata të agjensisë së funeraleve “Lumturia” duke kërkuar ekskluzivitetin e shitjeve. Ata paguajnë mirë dhe janë indiferentë ndaj skemave të rimave që ofroj unë.


Javën e shkuar mora një porosi bashkëkohore nga një i sëmurë me AIDS që menazhonte biznesin më të madh të kondomëve në qytet. Poezi që do të stampheshin mbi kondomë. Pasi u mendova sajova diçka në formë gjëagjëze “Hyn i fortë e del i butë/ pika-pika i kullojnë trutë”, por porositësi ma refuzoi duke e quajtur si antireklamë te biznezit të tij të çoroditur. Atehere i ofrova një epitaf “Do të vijë një ditë që këtu do përfundoni/ të çmendur e të mençur bashkë/ atë ditë që ju s’do doni…” I pëlqeu ideja e vdekjes intravaginale dhe e rriti porosinë me dyfishin e kopjeve.


“Zotëri, a mund të shoh disa modele nga Homopoezitë?”.
Ngre kokën dhe shoh përballë meje një djalosh të ndrojtur i cili, i skuqur nga ndjesi të përafërta me turpin, shton ” Jam miku i Manjolës”. I përgjigjem që akoma nuk është gati ai zë i menusë, por që mund ta ndihmoja me “Elegji për Anën e Pasme të Medaljes”, një vargëzim që me pak fantazi mund të përdoret edhe në ambjente homoseksualësh…

Faqeskuquri miraton me kokë, nxjerr paratë, blen “Elegjitë Anale” dhe largohet pothuajse me vrap… “Dua dy poezi dhe një tregim të shkurtër…Poezitë për të dashurën time që sot feston tre vjetorin e ndarjes nga i shoqi, kurse tregimin e dua për babain tim…të jetë erotik dhe… me figura!”

Klienti duket shumë i sjellshëm dhe i sinqertë. Si profesionist që jam e pyes të më tregojë diçka më shumë rreth karakterit të dashnores dhe të atit adrenalitik.

“E dashura ime nuk ka shumë përvoja me meshkujt … është natyrë e ndrojtur dhe aq e turpshme, saqë një herë, ndërsa po më bënte oral e po më vriste me dhëmbët e saj, iu ankova dhe e di si m’u përgjigj? “اudi…je i pari që ma bën këtë vërejtje” dhe u largua nga unë e skuqur nga turpi…” “Kuptoj…kuptoj…besoj se e kam të qartë tani natyrën e saj të ndjeshme…”, e ndërpres rrëfimin e sinqertë të klientit dhe pa ia zgjatur shumë i them që porosinë do e ketë gati të nesërmen në mëngjes…

“Nuk bëhet dot sot?”

“Hmmm…kanë ca punë ato figurat e tregimit…prandaj do vonohet disi…”

©Artan Gjyzel Hasani
 

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
KUJTIMET E TE NESERMES

kjo kishë e vjetër pranë hekurudhës
më ndërmënd ty…

kur rrapëllima e trenit afrohet
shandanët brenda kishës dridhen
foletë e gushkuqëve nën strehën e saj
bien përdhe dhe pasi ai largohet
zogjtë fillojnë nga e para
fole të reja nën strehën e vjetër
secili në hesap të vet tashmë
deri sa treni të kalojë përsëri
e kjo ndodh disa herë në ditë
e kështu do të jenë pak a shumë
kujtimet tona të së nesërmes
fole prej ajri
që ajri i rrëzon
ringritur nga secili
në mënyrën e tij
qirinj të ndezur në kishën e vjeter
pranë hekurudhës ku trenat
zakonisht nuk ndalojnë....

© artangjyzelhasani
 

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
NESE…

…e ke gjetur ti
gjumin që kam humbur
mos ma kthe
do të përdor gjumin e dikujt
që fjeti më shumë se ç’duhet…

të lutem mbaje mirë
dhe vëre të flerë pranë orës
pa ëndrra që trondisin
të zgjohet në kohën e duhur
dhe të të sodisë
kur ti dremit e qetë
shkujdesur
pa kujtesë
si lumturia kur humbet qëllimin
në zgjimet e tjetrit...
©artangjyzelhasani
 
  • Love
Reactions: iva

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
VARGJE DASHURIE PER ATA...

këto janë vargje dashurie për ata që s’dashuruan kurrë
dhe për ata që kujtuan se shumë dashuruan…

për ata që kishin frikë të rrinin vetëm
dhe për ata që nevojën për të pasur dikë
me dashurinë gjithnjë e ngatëruan…
për ata që i jetuan vitet e gjata krenarisht
duke vrarë çastet më të bukur të jetës…
dhe për ata që i qëndruan besnikë njëri- tjetrit
por kurrë vetvetes…
për ata që përçmuan çdo lule
që bahçja e tyre s’e kishte…
dhe për ata që s’mundën të kuptonin
që edhe tradhëtia një dashuri e re ishte…
i kam dashur vërtet shumë të gjithë
dhe u kërkoj ndjesë nëse ndonjëherë i kam lënduar
në plagët që mendonin se s’i kishin…
nëse ua kam trazuar gjumin pa ëndrra që flinin
kur pengjet më të thella të shpirtit të tyre
shkujdesur në vargje i kam shkruar…
i kam dashur vërtet shumë të gjithë
njerëzit që s’më deshën
lulet pa aromë
zogjtë që s’mund të fluturonin
burrin e femrës që më dashuroi
dhe kurrë nuk e urreva
atë që me timen shkoi…
i kam dashur vërtet shumë të gjithë
si ç'ka bërë edhe një poet tjetër më parë,
edhe kur keq për mua kanë menduar…
edhe kur në turrë të druve më kanë vënë…
edhe kur me gisht si delen e zezë më treguan
dhe kurrë nuk i fajësova që rastisën aq të bardhë…

(nga "MEKATARI", 2011)
© Artan Gjyzel Hasani
 

NeVertiti

Kohe & Stine
Staff member
LEONARD...

...le t’i krahasojmë mitologjitë...

Vdekjen e Madhe dhe të voglat e përditshme
Jetën tonë,
shëmtimin dinjitoz të bukurive mjerane,
Dashurinë kur sapo del nga veza
dhe Seksin para se të ndodhë…
Zotin atje lart
dhe zotërinjtë vdekatarë
të papërlyerën Zonjë
dhe të tjerat andej këtej
adhuruese vesesh përlyer nga virtyti…

le t’i krahasojmë mitologjitë, Leonard,
ja…aty...ulur mbi varrin tënd
ku një ditë erdha të ndez një qiri e një cigare
dhe të takoja çifutin e vogël që shkroi Biblën
e kështu, pyeta të vdekurin që banonte aty pranë,
i thashë emrin tënd dhe ngriti supet
e me dorë tregoi anën tjetër të varrezës
(siç i thoje ti me përkëdhelje qytetit)
ku të gjallët nxitojnë përçartur
të kapin autobuzin e fundit…
le t’i krahasojmë, Leonard,
por mitologjitë e mia humbasin udhës
dhe Manhattani i pushtuar më sjell ndërmënd
Guliverin e lidhur
teksa bëj selfie me Hiroshima të rreme
dhe njerëz të vegjël me trofetë në duar
je Centauri i fundit, Leonard,
gjysëm poemë…
gjysëm këngë…
në Hapësirën e Kohës ngrirë vargjet e tua
si kujtimet përballë Meduzës…

©artangjyzelhasani
 
Top